Info financiare » Rreth kontabilitetit
Kontabiliteti përbën bazën e drejtimit dhe të administrimit të njësisë ekonomike, nëpërmjet shifrave të pasqyruara në dokumente dhe librat e kontabilitetit, shërben për të përshkruar ngjarjet dhe fenomenet që përbëjnë ekzistencën e njësive ekonomike të çdo lloji dhe për t`i komunikuar informacionin e grumbulluar dhe të përpunuar prej tij përdoruesve të ndryshëm.
Kjo eshte arsyeja qe kontabiliteti shpesh karakterizohet si “gjuha e shifrave të biznesit”. I thënë ndryshe profesioni i shifrave.
SKK
Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit ka hartuar Standardet Kombëtare të Kontabilitetit duke u mbështetur ne Standardet Ndërkombëtare dhe duke i përshtatur ato me kushtet e Shqipërisë. Janë hartuar 15 Standarde.Standardet 1-14 do të zbatohen për hartimin dhe përgatitjen e Pasqyrave Financiare për të gjitha njësitë ekonomike që realizojnë xhiro mbi 2.000.000 leke në vit. Standardi 15 do të zbatohet nga të gjitha mikronjësitë. Kontabilitetin e thjeshtuar me regjistrim të njëfishtë në bazë monetare, do ta mbajnë mikronjësitë me status person fizik dhe që realizojnë xhiro
vjetore deri në 2 milion lek. Të gjitha mikronjësitë e tjera, pavarësisht nga forma juridike, do të mbajnë kontabilitetin rritës.
SNK
Ligji Nr. 9228, datë 29 prill 2004 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, parashikojnë që, duke filluar nga viti 2006, një sërë njësisish ekonomike të mëdha do të jenë të detyruara të hartojnë bilancin dhe pasqyrat financiare të tyre në bazë të Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit. Ligji “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” ka parashikuar në nenin 4 të tij, se do të jenë të detyruara për të zbatuar Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit në mënyrë të plotë të gjitha bankat, shoqëritë e sigurimeve, firmat e huaja që kanë filiale në vendin tonë, por që mëmat e tyre zbatojnë këto standarte, korporatat apo kompanitë e mëdha me interesa publike, si dhe të gjitha ato shoqëri që operojnë në bursë, në të ardhmen.